Besim Kryeziu, Drejtor i Tregtimit (Head of Trading) në Fuente Dynamics, së bashku me anëtarë të tjerë të ekipit, që përfaqësuan kompaninë në konferencën ETCSEE 2026 në Budapest, Hungari, më 10–11 qershor 2026.
Më 10–11 qershor 2026, Fuente Dynamics mori pjesë në ETCSEE 2026 – Energy Trading Central & South Eastern Europe, një nga ngjarjet më të rëndësishme të tregtimit të energjisë në rajon, e zhvilluar në Budapest.
Kompania u përfaqësua nga Besim Kryeziu, Drejtor i Tregtimit (Head of Trading), i cili udhëhoqi pjesëmarrjen e Fuente Dynamics gjatë aktivitetit dyditor, që ndërthurte konferenca, ekspozita dhe mundësi të shumta për krijimin e kontakteve profesionale.
Duke mbledhur më shumë se 700 profesionistë të sektorit të energjisë nga Evropa Qendrore dhe Juglindore, ETCSEE mirëpriti drejtorë, drejtues të lartë të tregtimit të energjisë elektrike dhe gazit, specialistë të çështjeve rregullatore, analistë të lartë, specialistë të zhvillimit të biznesit, dhe drejtues ekzekutivë. Aktiviteti ofroi një platformë të vlefshme për diskutimin e zhvillimeve të tregut, ndryshimeve rregullatore dhe tendencave që po formësojnë të ardhmen e tregjeve rajonale të energjisë.
Gjatë eventit, ekipi i Fuente Dynamics zhvilloi takime me aktorë të rëndësishëm të industrisë, forcoi marrëdhëniet ekzistuese dhe krijoi kontakte të reja me pjesëmarrës të tregut nga i gjithë rajoni. Konferenca ofroi gjithashtu njohuri mbi zhvillimet më të fundit në tregtimin e energjisë, integrimin e tregjeve dhe rolin gjithnjë në rritje të energjisë së rinovueshme në tregjet europiane të energjisë elektrike.
Një tjetër temë me rëndësi të veçantë në axhendën e aktivitetit ishte mekanizmi i rregullimit të karbonit në kufi (CBAM) dhe sfidat që lidhen me zbatimin e tij, veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat po përgatiten për harmonizimin me politikat klimatike dhe tregtare të Bashkimit Europian.
Pjesëmarrja në ETCSEE 2026 pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të Fuente Dynamics për të qëndruar pranë zhvillimeve të tregut, për të zgjeruar rrjetin e saj rajonal dhe për të ndërtuar partneritete të forta në të gjithë Evropën Juglindore.

Pamje nga konferenca ETCSEE 2026, e zhvilluar në Budapest, Hungari.
